Ballina KOMUNA Pse Vetëvendosje nuk e kandidoi Adem Berishën për deputet? Çudia e madhe...

Pse Vetëvendosje nuk e kandidoi Adem Berishën për deputet? Çudia e madhe që ndodhi brenda pak ditëve!

2016

Lëvizja Vetëvendosje ditë më parë mbajti një takim të Këshillit të Qendrës në Malishevë, ku përmes votimit të lirë anëtarët e Këshillit votuan për listën e kandidaturave për deputetë për zgjedhjet që do të mbahen më 6 tetor të këtij viti.

Gjatë procedurave të votimit të drejtën e kandidimit e fituan Adem Berisha, një ish-zyrtar i PDK-së, si dhe Jetmira Vrenezi.

Për këtë Berisha i kishte falënderuar anëtarët për besimin e dhënë ndaj tij që të jetë kandidat për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Shprehi mirënjohjen dhe falënderimin për të gjithë anëtarët e Këshillit të Qendrës LVV në Malishevë të cilët përmes procesit të votimit më dhanë besimin që të jem kandidat për Kuvendin e Republikës së Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit”, kishte deklaruar Berisha pas nominimit.

Por, ajo që ndodhi dy ditë më pas ishte e çuditshme dhe aspak e pritshme.

Personi që mori votat e Këshillit të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Malishevë, Adem Berisha, u eliminua nga lista e kandidaturës, dhe ajo çka është më e çuditshme, këtë privilegj Adem Berishës “ia grabiti” Gani Krasniqi, një ish-kandidat që edhe në zgjedhjet e kaluara nuk kishte arritur t’i fitonte votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet.

“Është nder i veçantë për Qendrën, për Malishevën dhe për Lëvizjen VETËVENDOSJE, vënja në listën garuese për anëtarë të Kuvendit të Republikës së Kosovës e emrit dhe personalitetit të veprimtarit të shquar Gani Krasniqi! Baca Gani, nuk ka fjalë të mjaftueshme për të përshkruar devotshmërinë dhe sakrificën e tij për kauzën Kombëtare”, shpjegoi Berisha.

“Duke qenë më se i kënaqur dhe i respektuar për mundësinë që pata rastin ta propozoj Bacën Gani dhe miratimin e kryesisë se Lëvizjes VETËVENDOSJE, shpresoj fuqishëm në besimin e anëtarëve të Këshillit të Qendrës në Malishevë, po ashtu shpresoj se nuk do të mungoj përkrahja e fuqishme për Bacën Gani, nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, shkruan Adem Berisha në llogarinë e tij.

Kujtojmë se Adem Berisha në zgjedhjet komunale të vitit 2017-të ishte larguar nga PDK e Kadri Veselit dhe aderoi në Lëvizjen Vetëvendosje vetëm “për hir të respektit” që kishte për Gani Krasniqin, ndërsa aderimi dhe nominimi i menjëhershëm i Berishës për kryetar të komunës kishte shkaktuar përçarje dhe pakënaqësi të mëdha brenda kësaj qendre, me ç’rast disa aktivistë aderimin dhe nominimin e Berishës e kishin quajtur edhe riciklim i mbeturinave të PDK-së.