Ballina SPORT Dorëheqjet e njerëzve me aktakuza, a duhet të dorëhiqet edhe kreu i...

Dorëheqjet e njerëzve me aktakuza, a duhet të dorëhiqet edhe kreu i FFK-së, Agim Ademi?

129

Vendimi i djeshëm i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, që t’i largojë nga çdo pozitë udhëheqëse në institucione dhe parti, njerëzit me aktakuza të konfirmuara, ka sjellë në standard të ri në politikën e Kosovës, por edhe në sferat tjera. E ky standard, për të ruajtur imazhin e mirë të Kosovës në futboll, do të duhej të zbatohej edhe në rastin e kreut të FFK-së, Agim Ademi.

Ministra, zëvendësministra, këshilltar politik, kryetar të degëve të PDK-së, me vendimin e djeshëm të Veselit do t’i lënë postet e tyre.

Por, një standard i tillë duhet të niste të zbatohej edhe në institucionet tjera, jo vetëm politike.

Shumë institucione edhe sportive drejtohen nga njerëz të cilët kanë aktakuza dhe janë në procese gjyqësore.

Rast i tillë është edhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, i cili ka aktakuzë për shantazh dhe detyrim, ku aktualisht po përballet me një proces gjyqësor.

Persona nga bota e sportit thonë se standardi për t’u larguar njerëzit me aktakuza nga postet drejtuese në Kosovë, do të duhej të zbatohej edhe në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK).

Sipas tyre, nëse kjo do të zbatohej në rastin e kreut të FFK-së, Agim Ademi, do të ndikonte për të ruajtur imazhin e mirë të Kosovës në futboll.

“Persona me aktakuzë larg pozitave publike, nuk duhet të jenë në udhëheqje të institucioneve kredibile siç është Federata e Futbollit të Kosovës. Është fyese për kombëtaren tonë të ketë kryetar një person të akuzuar. Të gjithë mburremi me futbollistet tanë, por kjo nuk vlen edhe për Agim Ademin e akuzuar”, ka thënë një zyrtar i FFK-së në kushte anonimiteti për FaktePlus.

Kryetar i FFK-së, Agim Ademi, akuzohet për veprat penale të detyrimit dhe ushtrimit të ndikimit. Ademi po akuzohet se së bashku me Muharrem Ramën e kanë kërcënuar për vdekje një person. E gjithë kjo sipas Prokurorisë u bë me qëllim ndryshimi të statusit të një ngastre toke. Aktakuza përbëhet nga dy pika.

Në pikën një të aktakuzës Agim Ademi e Muharrem Rama akuzohen se në periudhën kohore nga 12 korriku i vitit 2012 e deri më 12 shtator të po të njëjtit vit, në bashkëkryerje dhe me dashje të përfitimit material për veten e tyre apo për personin tjetër, kanë përdorur kërcënimin serioz me vdekje.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Muharrem Rama e ka sulmuar fizikisht viktimën Dritëro Kadolli, në atë mënyrë që ta detyrojë atë që të bëjë një veprim në dëm të pasurisë së tij, respektivisht t’ua jep atyre një veturë të tipit BMË X5, veturë e cila më pas pretendohet se do t’i dorëzohej Sami Hamitit.

Tutje në pikën e dytë të kësaj aktakuze thuhet se të akuzuarit e lartpërmendur gjatë periudhës së njëjtë kohore në bashkëkryerje kanë kërkuar nga Dritëro Kadolli shumën prej tridhjetëmijë eurove apo një veturë të tipit BMË X5, në lidhje me ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, që të ndryshojë statusin e një ngastre toke nga “zona e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”./FaktePlus