Ballina SPORT Kosova pa dy lojtarë kyç në ndeshjet vendimtare

Kosova pa dy lojtarë kyç në ndeshjet vendimtare

125

Në përbërjen më të fortë të mundshme aktuale të Kosovës, Valon Berisha e Hekuran Kryeziu vlerësohen të padiskutueshëm për qendrën e mesfushës. Përfaqësuesja e Kosovës ishte pa Berishën në ndeshjet e muajit të kaluar, ndërsa do të jetë pa të e pa Kryeziun të paktën edhe në ndeshjet e qershorit. Madje pa Hekuran Kryeziun, balancuesin e lojës së Kosovës, Përfaqësuesja do të jetë shumë më gjatë.

Kryeziu të shtunën ka këputur ligamentin krucial në gjurin e majtë dhe do të pushojë prej gjashtë deri në nëntë muaj. Kështu ai rrezikon të mbetet jashtë Përfaqësueses për të gjitha ndeshjet e mbetura në kualifikimet për “Euro 2020”. Më 17 nëntor Kosova e luan ndeshjen e fundit kualifikuese, ndaj Anglisë në Prishtinë, shkruan sot Koha Ditore.

“Mesfushori i Zuerichut, Hekuran Kryeziu, është dashur të zëvendësohet në minutën e 15-të në ndeshjen ndaj Luganos, për shkak të një lëndimi. Ekzaminimet mjekësore kanë treguar se 26-vjeçari ka këputur ligamentin krucial në gjurin e tij të majtë dhe duhet t’i nënshtrohet operimit. Kryeziu pritet të mungojë për klubin e qytetit prej gjashtë deri në nëntë muaj”, thuhet në njoftimin që të dielën ka lëshuar klubi zviceran Zuerich.