Ballina OPINIONE Vdiq “Plaku i Kosovës”, varrimi i një vizionari e ideologu të heshtur...

Vdiq “Plaku i Kosovës”, varrimi i një vizionari e ideologu të heshtur me mision të përmbushur!

1032

Shkruan: Ramadan Baraliu, tekstit i kontribuoi Burim Bytyçi dhe familja Bytyçi

Gjyshi, Asllan Feriz Bytyçi, që në shumë portale njihet si plaku i Kosovës, lindi me 12. 04. 1923, ndërsa vdiq me datë; 16. 04. 2019 në moshen 96 vjeçar në fshatin e tij të lindjes Kërvasari të Komunes së Malishevës.

Shkollën fillore e kreu në kohen e krajlit serb në gjuhën serbokroate. Atëherë kur rreptësisht ishte e ndaluar edhe të mendohet shqip e le më të mësohet në gjuhen amtare, gjyshi ishte i pari jo vetëm në Kërvasari por edhe në tërë këtë rajon që fshehurazi ka mësuar dhe shkruar në gjuhën amtare-shqipe. Frymëzimin e ka marrë nga Dervish Sadriu-kushëriri i babait të tij, visionar i arsimit dhe rapsod i këngëve folklorike.

Gjyshi na tregonte shpesh me nostalgji se si librat janë sjellë ilegalisht nga Shqipëria përmes Vesel Pagarushës (babai i këngëtares së njohur Nexhmije Pagarusha). Janë lexuar fshehurazi, në ndërkohë janë lëshuar në zgavrën e dardhës, e ditën tjetër janë nxjerrë poshtë nga zgavra. Kjo dardhë ende qëndron në arën pranë shtëpisë.

Ai është ndër të parët që pranoi e përhapi alfabetin, abetaret dhe librat shqipe që i sillte nga Shqipëria në Pagarushë. Këto libra ju shpërndante njerëzve të besuar, miqve e veprimtarëve të vendosur, fillimisht në Kërvasari. Pas leximit, librat janë përcjellë te familja Berishë në fshatin Berishë e Sedllarë, me pas edhe në rrethin e Suharekës, Rahovec e deri në Drenicë.

Gjyshi jonë edhe pse e kishte vetëm shkollën fillore të mbaruar ai kishte një dashuri të madhe për edukimin. Në pamundësi të vazhdonte shkollimin për shkak të kushteve socio-ekonomike dhe rrethanave tjera, ai ka punuar që këtë dashuri ta bartë te pasardhësit duke frymëzuar dhe përkrahur me sakrificë shkollim e brezave në familje dhe më gjerë. Angazhimi i tij për arsimimin i kishte penguar regjimit serb të kohës, mirëpo kjo nuk e kishte ndaluar. Përkundrazi, ai ka vazhduar të investojë në këtë drejtim pa u lëkundur.

Ai i ka mbijetuar edhe Luftës së Dytë Botërore ku ishte luftëtar aktiv. Ishte kryefamiljar i një familje të gjerë prej mbi 50 anëtarëve. Mbajtja e tyre dhe shkollimi kërkonte mund dhe përkushtim. Por ai nuk ndalej. Si rezultat i frymëzimit dhe kontributit nga ai, sot në familje ka tre doktor të shkencave, pesë magjistra e mbi 30 me shkollim universitar. Fshati Kërvasari, është i njohur me numrin e madh të intelektualëve, ndërsa ne krenohemi se kontributin kryesor e ka kjo familje në trungun e së cilës arsimimi fillon me emrin e Asllan Feriz Bytyqit, “Plakut të Kosoves”.

Këto shifra janë treguesi më i mirë se jeta e tij është një mision i kryer me sukses, ndërsa familja Bytyçi është me fat që është trashëgimtare e gjeneve të tij.

Për më tepër, ky kontribut atij i jep epitetin e një vizionari dhe ideologu.

Plaku i Kosoves ishte një njeri i përulur plot me dashuri, forcë dhe inkurajim për ne. Ne ndihemi të nderuar dhe me fat që jemi pasardhësit tuaj.

Ai lindi si Asllan, ndërsa ndërroi jetë si Luan!

Ne besojmë dhe lutemi që shpirti i tij të gjejë paqe dhe shpëtim në jetën e përjetshme, pèr veprat e mira që ka lënë dhe rëndësinë që ka pasur për të Krijuesi, të cilin e ka respektuar dhe i është lutur sipas mënyrës dhe vullnetit të tij të lirë, në gjuhën shqipe. Amen