Ballina LAJME VV: PANhajnia po vjedh me shleper

VV: PANhajnia po vjedh me shleper

157

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka akuzuar qeverisjen aktuale se sa herë që nis vala e protestave, ndërmerr veprime patriotike sikur ajo e shkarkimit të ministrit serb të Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviq, ndërsa pati edhe disa porosi për kryeministrin Ramush Haradinaj.

Ai në një tubim me qytetarët në Prishtinë tregoi arsyet e shkarkimit me vonesë të ministrit të Listës Serbe për deklaratën e bërë më 24 mars për masakrën e Reçakut.

“E patë dje si u shkarkua ministri i Listës Serbe Teodosijeviq për një deklaratë, të cilën ai e ka dhënë më 24 mars. Të gjithë e kemi parë deklaratën më 24 mars, mirëpo shkarkimi i tij ka ndodhur vetëm dje. Sa herë ngritet vala popullore kundër hajnisë dhe korrupsionit të tyre, këta e bëjnë një gjest patriotik”, ka thënë ai.

Kurti nuk ka hezituar të ironizojë me kryeministrin Haradinaj, duke e porositur që të bëhet ministër i sporteve të rënda për shkak të demarkacionit me Malin e Zi.

“Kryeministri aktual thoshte se do të merrej me punët e shtëpisë. Ai ia punoi shtëpisë duke e vjedhur shtetin… Thoshte se merrej me sporte të rënda dhe ia dha 8200 hektarë të shtetit tonë për karrigen e vet të pushtetit. Ka mbetur edhe MKRS-në ta ndajë në tri ministri, të Kulturës, Rinisë dhe Sportit e pastaj Ministrinë e Sportit ta ndajë në ministrinë e sporteve të rënda dhe të lehta e aty të bëhet vetë ministër i sporteve të rënda”, tha Kurti.

Sipas tij zgjidhja e vetme për të dalë nga gjendja aktuale është largimi i qeverisjes aktuale dhe shkuarje në zgjedhje të reja.

Edhe deputeti Glauk Konjufca nuk kurseu Qeverinë Haradinaj, duke thënë se buxheti i shtetit po konsiderohet si plaçkë e luftës, duke u dërguar firmave tenderë, të cilat ua kthejnë shpërblimin me përqindje, ndërkohë që sipas tij, burgjet e Kosovës janë mbushur me hajna të druve, derisa hajnat e shtetit po e zhvatin buxhetin.

“Prishtina sot nuk po më duke kryeqytet, pasi koka i ka dezertuar. Kjo është arsyeja për këtë. Kur po shikoja pak më parë këtë logon për këtë arsye PAN, atëherë pashë që po i mungon diçka. Ndoshta tash e keni gjetur se çfarë po i mungon asaj P i thërrasin me zarf, herë me qese e herë me thes, ama sot të dashur pjesëmarrës PANhajnia e ka marrë kamionin edhe sot po vidhet me shleper”, tha Konjufca.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, tha se dëshmia më e mirë për luftën kundër krimit dhe korrupsionit para syve të Evropës do të ishte sikur pushtetarët aktualë të shkojnë në burg.

“Dëshmia më e mirë do të ishte sikur presidenti, kryeministri, ministra e ish-ministra, zyrtarë të lartë politikë sot të të mbylleshin prapa grilave. Kjo do të ishte dëshmia më e mirë për BE-në, se Kosova po e lufton krimin e organizuar”, tha Pacolli.

Ndërsa, kryetari i Qendrës së LVV-së në Prishtinë Arben Vitia tha se kapja e shtetit nga pushteti aktual ka kaluar në dimension të ri, duke degraduar çdo segment të jetës, përfshirë arsimin e shëndetësinë dhe sfera tjera, gjë e cila sipas tij po ndikon në mungesën e perspektivës për të rinjtë.

“Fajet nuk i kanë ata që po largohen, fajet i ka ky pushtet dhe qeveritë e pasluftës, të cilat duke u tallur me vlerat e popullit dhe me vlerat e luftës po ia bën shërbimin më të mirë Serbisë duke i bindur qytetarët se në Kosovë se nuk ka shpresë dhe atë po e bëjnë në mënyrë të hapur, arrogante dhe cinike. Këta pushtetarë po vjedhin çdo gjë që po iu del përpara, nga vjedhjet me maska, tani në mënyrë të hapur edhe me tendere të kurdisur, punësojnë çdo anëtar të familjes që rastësisht u ka mbetur pa punë dhe nga punësimet të fshehura dhe konkurse të kurdisura që doli me skandalin Pronto, tash po e bëjnë hapur dhe atë për djemtë, vajzat, kunatat, tezakët , motrat dhe vëllezërit e tyre”, tha Vitia.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje tashmë ka nisur fushatën ‘Kundër PanHajnisë’ në të gjitha qytetet e Kosovës, duke mbajtur tubime me qytetarët për të diskutuar lidhur me temat që preokupojnë, si dhe gjetjen e zgjidhjes së këtyre problemeve.