Ballina OPINIONE “Luanët” që po e rrezikojnë edhe shtetin, edhe të ardhmen e popullit!

“Luanët” që po e rrezikojnë edhe shtetin, edhe të ardhmen e popullit!

147

“Luanët” punësojnë, ua ndërrojnë pozitat, i avancojnë familjarët, njerëzit e afërt dhe militantët, edhe ata me përgatitje jo adekuate profesionale, si në Bankën Qendrore, në Bordet e Universiteteve, kudo! Mega Qeveria me pesë zëvendëskryeministra, 21 ministra, koordinatorë dhe më se 80 zëvendësministra, kush e di sa këshilltarë (të rrallët njihen si personalitete)!

Shkruan: Jusuf Bytyçi

Kosovën e qeverisin ish-komandantët e UÇK-së, që në popull quhen kryesisht si “Luanë”. “Falë” kësaj lidhje, edhe pse jo me ndonjë fuqi politike të votës shqiptare, i pari i Qeverisë me goxha do vartës, kryesisht nga AAK e tij dhe Nisma, e kryetarit, F. Limaj, që nga lidhja në koalicion, janë dëshmuar të vendosur, të guximshëm dhe madje të “zhdërvjellshëm” për t’i kryer “shumë punë”, punë apo vendime të mëdha, siç e thotë shpesh, kryeministri Haradinaj. Krahas zotimeve për kryerjen me kujdes të angazhimeve shtetërore, Haradinaj dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt, edhe ata nga subjektit politik më i vogël me numër votash e deputetë, pa u trembur nga askush, pa ndonjë brengë se po e lëndojnë sado pak ndërgjegjen e dikujt, si dhe dhe pa i dhënë askujt përgjegjësi, pa fije turpi, po ngarendin kush më shumë po nxjerrë përfitime personale dhe për farefiset e tyre, nga qeverisja, që ata duket se e dëshirojnë të jetë sa më e gjatë! “Shoqëri e panshmangshme” e kësaj qeverisje, që nga dita e fillimit, u bë familjarizmi, nepotizmi, korrupsioni, amoraliteti politik, tenderomania, gjithçka! Kjo qeveri, edhe ashtu u bë mega qeveri, me pesë zëvendëskryeministra, Pacolli, Limaj, Hoxhaj, Dardan Gashi, dhe një serb (që pavarësisht nga tërheqja bashkë me ministrat e Listës serbe nga koalicioni, marrin paga nga taksapaguesit shqiptarë), 21 ministra, disa koordinatorët e dikastereve të ndryshme “dupla” ministra, dhe më se 80 zëvendësministra, që nënkupton, e dëmtojnë rëndë buxhetin e nevojave të shumta të popullatës së varfër, me shkallë të lartë dhe shqetësuese të të papunëve!

Valles për keqmenaxhim, keqpërdorim, afera dhe zhvatje në pakufi, po i prin shefi i madh i Qeverisë, Ramush Haradinaj, e pas tij, edhe shumë nga vartësit e tij më të pafytyrë, të pandërgjegjshëm, të pamoralshëm dhe të papërgjegjshëm, si Limaj, i Nismës Socialdemokrate, Pal Lekaj, Endrit Shala, Donika Kadaj Bujupi, Muharrem Nitaj, Bekë Berisha, Sh. Demalijaj, deputetë, ministra, zëvendësministra apo këshilltarë të tjerë të “zhdërvjelltë”, besa edhe të tjerë pa poste qeveritare dhe as të deputetit, por që po i “vjelin mrekullueshëm” të mirat e pushtetit, përfshirë Jakup Krasniqin, Ejupët e nga katër punësimeve, etj. Aferat, kanë nisur qëkur u formua kjo Qeveri “luanësh”, dhe nuk kanë të ndalur, me pasojë dëmtimin e segmenteve institucionalë, pronën publike, pasurinë, buxhetin e shtetit, ndërmarrjet, Kompanitë, Postë Telekomin e Kosovës, Bordet…Agjencionet…! Mega Qeveria me pesë zëvendëskryeministra, 21 ministra, koordinatorë dhe më se 80 zëvendësministra, kush e di sa këshilltarë (të rrallët njihen si personalitete)! Secili nga vartësit e fuqishëm të R. Haradinajt, të dëshmuar për aftësi korruptive, për nepotizëm të paskrupullt, kush më shumë e kush më pak, po keqpërdorin pozitat institucionale, po zhvatin buxhet, po e shtojnë marramendshëm pasurinë, po punësojnë familjarë e të afërm, pa përfillur kriteret dhe kushtet e konkurseve.

Shefi i Qeverisë, i zotuari Haradinaj për “vendime të mëdha” shumë dorëlirë, ndan buxhet, ndan para, sikur ato të ishin mjete të familjes së tij. Nuk e ka dert absolutisht, nëse rrezikohet edhe stabiliteti buxhetor-financiar. Po zhvatet buxheti shtetëror, si dhe institucionet e shtetit, sikur të ishin para të xhepave të këtyre dhe institucionet, prone private dhe jo takasa të qytetarëve, familjeve që mezi mbijetojnë!
Harxhon edhe rezervat shtetërore, për projekte jaranash, aspak serioze….Pos mungesës së disiplinës me vendës, kryeministri pothuaj ka prishur edhe raportet me miqtë ndërkombëtarë, edhe me autoritetet përfaqësuese të shteteve më të dëshmuara për ndihmë. Haradinaj, dhe vartësit e tij, nuk durojnë dot as kritikat më miqësore, nuk përfillin fare sygjerimet e miqve për zgjedhjen dhe emërimin e njerëzve më profesionistë në krye të segmenteve institucionale, pavarësisht nga investimet e miqve nga shtetet respektive! Kanë politizuar gjithçka, arsimin, shëndetësinë, administratën, kudo! Kryeministri e vartësit e fuqishëm, nga koalicioni, interferon punësimet, kudo, edhe aty ku ka teposhtëz e pothuaj fundosje të ndërmarrjes, si në Telekom. Punësojnë, ua ndërrojnë pozitat, i avancojnë familjarët, njerëzit e afërt dhe militantët, edhe ata me përgatitje jo adekuate profesionale, qoftë në Ministri, në Bankën Qendrore, në Bordet e Universiteteve, kudo!

Pushteti “mbush” Telekomin me reja, motra, fëmijë, vëllezër e militantë partiakë, është vetëm një nga titujt e gazetave apo të televizioneve nacionale që po hulumtojnë aferat korruptive dhe nepotizmin qeverisës. MASHT-i, MTI, MI, MPMS, Telekomi, janë mbushur me familjarët e AAK-së, Nismës etj. Kanë punësuar e avancuar në punë e pozita të rëndësishme djemtë, vajzat, gra, reja-nuse, edhe motra apo vëllezër, kunata, kunata të kunatave, balldyska, kojshike të grave…nipa t’nipave, mbesa t’mbesave, t’hallave…Duket qartë se kjo mega qeveri, sikur e ka detyrë parësore zhvatjen sa më të madhe të buxhetit të taksapaguesve të varfër të Kosovës me popullsi me shkallë më të lartë të papunësisë dhe gati në varfëri ekstreme!

Së këndejmi, janë gjithnjë e më neveritëse arsyetimet e kryeministrit Haradinaj dhe vartësve të tij, si Pal Lekaj, M. Nitaj, H. Matoshi… për punësimet e shumta familjare e klienteliste partiake në institucione publike. Nuk do të ishte kundërshtuese sikur këta pushtetarë, të mos interferonin domosdoshmërisht dhe pa meritë kudo në punësimet e djemve, vajzave, motrave, rejave, nuseve, të fejuarave, kunatave, kushërinjve, kushërirave, mbesave, nipave, miqve, baxhanakëve, balldyskave, tezakëve, jaranave, të dashurave, motrave të të dashurave të këtyre “luanëve”!
Ka dyshime të bazuara se pothuaj i gjithë procesi i rekrutimit e konkurseve nëse janë shpallur, ka qenë i korruptuar, nuk janë respektuar kriteret profesionale e ligjore. Ky kryeministër dhe disa vartës të tij të fuqishëm, ka pranuar njerëz në punë udhëheqëse menaxheriale pa patur përvojën e domosdoshme. Pavarësisht nga të gjitha marifetllëqet, Haradinaj e bashkëpunëtorët e tij, pa fije turpi, po i arsyetojnë këto punësime skajshmërisht politike, me shkelje të ligjeve dhe procedurave adekuate. Për zbulimet e shpërdorimeve dhe aferave korruptive qeveritare, respekt meritor kolegëve gazetarë, sidomos koleges nga KTV, Adriana Th. Mehmeti.
As që brengosen që Telekomin po e fundosin, me qëllim që t’ia ulin vlerën skajshmërisht!

Shumë e qartë se nuk respektojnë profesionalizmin që fatmirësisht sot ka Kosova dhe duhet qartë se deputetët nuk votojnë ekspertë për Bordet e ndërmarrjeve, si Enis Berisha, i anashkaluar me vite… Krejt marrja, po arsyetohet në debatet e TV-ve! Këta, as që brengosen që Telekomin po e fundosin, me qëllim që t’ia ulin vlerën skajshmërisht!

“Unë nuk do të ndërtoja koliba”, por objekte serioze, qe shprehur ditë më parë, njëri nga këshilltarët e shefit të qeverisë, i dëshmuar për “aftësi menaxheriale” të parasë publike dhe jo publike. Gjatë fjalimit përshëndetës në një përurim në BK “P. Bogdani”, ai fjalën e kishte për Kullat modeste në Xerxë dhe Kukës, si simbole që kujtojnë kohën e pritjes e sistemimit vëllazëror të shqiptarëve të zhvendosur dhunshëm nga vatrat e tyre, më 1999! Kullat në fjalë janë ndërtuar me vetëkontributin e banorëve e disa afaristëve nga Xërxa e Mitrovica.

Pavarësisht nga arsyetimet e kryeministrit dhe vartësve të tij, tashmë shumica e qytetarëve të Kosovës, pos ndonjë naivi, e dinë mirë se kryeministri aktual dhe disa nga vartësit e tij të fuqishëm (ata dihen fare mirë), kanë kontribuuar në zhvatjen e shtetit në shumë segmente, edhe kur nuk ishin në pushtet. Këta kanë përfituar nga shteti dhe nga të gjithë qeveritarët e pas luftës edhe kur ishin në Hagë, madje kanë krijuar pasuri marramendëse.

“Luanët”, edhe Dardani, Endriti etj., janë edhe pjesë e shumë skandaleve e aferave, gjuatjes me armë zjarri në ndeja të kolegëve!
Pos atyre që janë pjesë e qeverisë së vendit, për keqpërdorime dhe pandjesi ndaj shpenzimeve pa kontrollë të buxhetit shtetëror, nuk dallon as Shpend Ahmeti, kryetar i komunës së Prishtinës dhe tash së fundi edhe kryetar i krijesës politike PSD-së së Kaqusha Jasharit.

Ahmeti, pesë vite më parë kur u zgjodh në krye të Prishtinës, si kuadër i LVV-së, mbahet në mend për deklaratat pompoze si një “person e kuadër modest”, se “nuk do të hipte kurrë në veturën “superluksoze Q 7” të paraardhësit të tij, Isa Mustafa, por do të udhëtonte “krahas udhëtarëve të rëndomtë”, me autobusët urbanë.

Përfitime, pasurim dhe punësime klienteliste edhe nga buxheti për dialogun e pafund!

Ka ndërruar shumë Shpendi i Ali Ahmetit, nipi i Mehmet Ajetit, tezaku i Visar Ymerit, që po ashtu ka ndërruar tepër lëkurën politike, pasi krahas postit në krye të komunës dhe qe disa muaj edhe në krye të PSD-së, krijesës së ndarë nga LVV, u bë bashkë me Limajn e Nismës po ashtu Social Demokrate, në bashkëkryesim të Ekipit negociator. Shpendi, me ambicie të qarta të përfitimeve personale, ka në krah edhe militantët e “shquar”, nga ish LVV, që i mori në PSD, D. Molliqajn, Frashërin, Hotin…që pos ngjyrosjes së mureve qeveritare, veturave, hedhjes së gurëve, vezëve e domateve, mbahen në mend edhe për kacafytjen me forcat e rendit, me policinë e Kosovës, për rrotullimin dhe dëmtimin e automjeteve zyrtare, të nxjerrjes së dhunshme të zyrtarëve të institucioneve e të PDK-së nga automjetet zyrtare, madje edhe për hedhjen e gasit lotsjellës në sallën e Kuvendit ë Kosovës, me qëllim të pengimit të vendimeve.

Ky Shpendi që dje shante dhe kacafytej me ish-drejtuesit institucionalë e me forcat e rendit, sot, i bën temena pushtetit që po vazhdon me intensitet të pandalshëm zhvatjen e buxhetit, dëmtimin e imazhit të shtetit para syve të miqve që ndihmuan Kosovën dhe popullin e saj në luftë për Liri dhe Pavarësi dhe tash e 11 vite edhe për shtetndërtim, për forcim dhe integrim!
A e kqyrni ndonjëherë veten në pasqyrë, ore të pafytyrë?! Ju nuk keni fytyrë, as nuk turpëroheni për të bëmat tuaja të pafund në dëm të shtetndërtimit dhe të së ardhmes së vendit! A e shihni pra se në ç’gjendje jemi katandisur si popull, jo edhe pa fajin tonë, por sidomos për pasojë të udhëheqjeve tona të pandërgjegjshme, të papërgjegjshme, të pamoralshme, të pangopur, të padenja e të padrejta ndaj shumicës së qytetarëve e familjeve që po ashtu kanë hise për Lirinë, Pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës. Vallë, të tjerët, edhe pse paguajnë taksë për shtetin, “nuk kanë dije, as shkollë, as mastera, as nuk bënë luftë, as nuk dhanë gjak?! Ata qofshin edhe fëmijë dëshmorësh, e luftëtarësh më të denjë, le të bredhin rrugëve të papunë, le të marrin udhën jashtë vendit, për të cilin luftuan prindërit e tyre”.

Ata që nuk kanë lidhje familjare dhe aq afërsi politike me ju qeveritarë, a duhet të pajtohen me fatin e rëndë të bredhjes pa mundësi punësimi, ndonëse me përgatitje adekuate profesionale, ani se jo nga shkollat private të kushtueshme si fëmijët tuaj”! A kanë edhe kjo kategori familje, si thoni ju kryeministër, zëvendëskryeministra, që premtonit së paku nga një të punësuar në çdo familje?! Mosni more se e rrënuat krejt, e bëtë skllotë përtej skllote! Çka po na thoni kot, ka shtet, ligjor, ka sistem të drejtësisë dhe ka suksese në luftë kundër korrupsionit?! Marre e gjynah, aspak mëshirë nuk keni, frikë nuk keni nga ligji e shteti, se vërtet e keni kapur krejt sistemin e drejtësisë edhe me njerëz të padinjitetshëm, tuca, që duan dhe ua bëtë rrogat e mëdha, pavarësisht nga punët dhe meritat.

Gjykatësit, kryesisht frikacakë, pavarësisht nga pagat e majme, nuk guxojnë t’ua lëndojnë as qimen e flokëve e mjekrës suaj, o pushtetarë të turpit! Po të kishte gjyqësi të pavarur, prokurorë e gjyqtarë të guximshëm që vendosin drejtësinë, shumë nga ju pushtetarë aktualë dhe të tjerë nga qeveritë e kaluara, po ashtu shpërdorues të pozitave gjatë qeverisjes, do të duhej të ishit në burg!

Përderisa ju “Luanët” e Qeverisë keni siguruar për vete pagat më të larta në rajon, privilegje dhe përfitime të shumta edhe pas përfundimit të mandatit, keni krijuar pasuri milionëshe, edhe rezidenca personale banimi edhe jashtë Kosoves, po i shkolloni fëmijët në shkollat e huaja dhe shumë të kushtueshme(për punësim po se po), mijëra të rinj, nga mijëra familje, edhe nga ato të dëshmorëve, invalidëve e veteranëve, që mezi ia dalin të mbijetojnë skamjen, si pasojë e humbjes së shpresave dhe paperspektivës në Kosovë, ku janë shkolluar me shumë mund dhe sacrificë, po ikin nga vendi i tyre, për të cilin, prindërit ose familjarët e tyre dhanë çdo gjë, edhe gjak, djersë, kontribut dhe paguajnë taksa për shtetin!

Ne që nuk ishim komandantë e të “zhdërvjellët” si ju që e kapët shtetin, goxha vite, do të durojmë, do të durojmë, por jo si Durimi juaj! Marre, moral dhe ndërgjegje, aspak nuk keni! Derisa ju të ngopeni, ne veç po lutemi me mallkim: “nga Zoti ju ardhtë! Nuk na ka mbetur gjë tjetër, vetëm mallkimi!