Ballina OPINIONE Çoni duart nalt: A jemi sot të gjithë me ambasadorët në vendin...

Çoni duart nalt: A jemi sot të gjithë me ambasadorët në vendin tonë?

30

Vërehet që qytetarët e Kosovës, kanë bërë një ‘revolucion diplomatik’. Dikur përkrahnin politikanët kosovarë kundër ambasadorëve, sot është e kundërta. Sot duket që jemi me ambasadorët, kundër politikanëve tonë.

Shkruan: Dafina Demaku

E para prej ambasadorëve që kemi qëruar hesape me të, ka qenë ish-ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson. Ajo ishte detyruar të na thoshte troç se e ‘kemi dhier punën’. Atëkohë, reagimi i Jacobson nuk ishte një kërcënim, as një qortim, thjesht një shprehje popullore që e përdorim të gjithë me njëri – tjetrin, kurdo që bëjmë ashtu, për ta përshkruar situatën e dhier’.

Më pas, iu patëm sulur ish-ambasadorit tjetër amerikan, Greg Delawie, i cili vetëm na e interpretonte qëndrimin e administratës së atëhershme amerikane për Gjykatën Speciale dhe demarkacionin me Malin e Zi. Zoti Greg, ishte thjesht një ‘palaço’ për ne.

Është interesant se si deri në këtë dyshe, edhe reagimi i qytetarëve ka qenë pro politikanëve tonë ose ndonjë përfaqësuesi të ndonjë Organizate a Shoqate (populistë, të gjithë, gjithsesi).

Kjo ka lënë gjurmë edhe nëpër rrugë të ndryshme të kryeqytetit ku ju mund të lexoni grafite si: Ambassador go home, you’re drunk. (Ambasadorë ecni n’shpi, ju jeni të dehur’). Pra, deri këtu, politikanët kanë pasur ‘përkrahjen popullore’ që të mos i durojnë shumë ambasadorët, por Kosova t’ia grahë në të veten, sepse, hej, jemi shtet i pavarur, ok? Ç’rëndësi ka mendimi i Zonjës Tracey ose zotit Greg, ju lutem? Ne jemi të zotët e vetes, pikë së pari.

Pikë së dyti,

Kjo gjë ndryshoi.

Kur ambasadorët në vendin tonë, filluan t’i ‘naçetin’ disa tema që neve na kënaqin shpirtin (e përvuajtur e të lodhur) nga korrupsioni, keqpërdorimet, punësimet, etj., tash jemi bërë me ta.

Thirrjet e ambasadorit aktual të Britanisë në Kosovë, O’Connell, që të mos emërohen njerëz nga politika në pozita kyçe dhe bashkëngjitjes ndaj kësaj thirrje edhe nga ambasadori amerikan Philip Kosnett, po marrin përkrahje të madhe qytetare. Ky ndryshim opinioni, shihet sidomos në reagimet ndaj lajmeve ditore që publikohen në mediume. Mund të lexohen jo dhjetëra, por mijëra komente gjithandej nëpër rrjetet sociale se si qytetarët janë në përkrahje të këtyre thirrjeve.

E ambasadori zviceran ‘na lëndoi’ së tepërmi. Është ironike se si – kur Kosova po shënonte përvjetorin e bombardimeve të NATO-së – politikanë (si z.Pal Lekaj) i thonë ambasadorit zviceran: të kisha largu prej Kosovës, nëse m’kish vetë dikush, se ne i kemi 60 mijë veteranë dhe ti nuk ke të drejtë të na tregosh se ne po gënjejmë. E dimë që po gënjejmë, sidomos kur e dimë ‘magjinë e çlirimit’ në përvjetorin e NATO-së nga ajri dhe numrin jo shumë të madh të luftëtarëve të UÇK-së nga toka para rrafsh 20 vjetësh, jo më larg.

Prandaj, sot me të drejtë jemi me ambasadorët në vendin tonë dhe pyesim:

Pse edhe pas 20 vjetësh vazhdoni të bëni kërdi në këtë vend?

Pse edhe pas 20 vjetësh nuk keni arritur ta ndërtoni një ujësjellës pa ndihmën e dikujt nga jashtë? Dhe miliona pse të tjera.

Edhe diçka, shikoni sa bukur e tha ambasadori zviceran:

“Nuk është normale që qeveria e Zvicrës të financojë ujësjellësin këtu, sepse e dimë që ekzistojnë të holla edhe në këtë vend. E dimë se vlera e këtij projekti është përafërsisht 2.5 përqind e vlerës për veteranët e luftës. Por, veteranët e vërtetë të cilët kanë luftuar për lirinë e këtij vendi. Nuk jemi të lumtur të shohim nëse njerëzit marrin këtë status pa ndonjë të drejtë. Do të thotë, nëse të hollat ruhej jo për të financuar veteranët e rrejshëm do të ndërtojmë shumë më shumë sisteme të ujësjellësit”.