Ballina OPINIONE Kriza e Makron në Francë, një rrezik për mbarë Evropën

Kriza e Makron në Francë, një rrezik për mbarë Evropën

SHPËRNDAJE

Nga Natalie Nougayrède

Për hir të Evropës, Emanuel Makron ka nevojë për ndihmën, dhe jo neverinë apo urrejtjen tonë. Një president i ri, reformist në Francë, që premtoi një “rilindje evropiane”, e sheh tanimë veten duke u përpëlitur në krye të një vendi, që po bëhet sërish dhe me shpejtësi “e sëmura e Evropës”.

Momenti me domethënës i protestave, ishte kur protestuesit shpërfytyruan fytyrën e përmendorës së Marianës, simbolit të republikës në Harkun e Triumfit në Paris. Vetëm 3 javë më parë, udhëheqësit botërorë u mblodhën atje me Makronin, për 100-vjetorin e fundit të Luftës së Parë Botërore.

Nga “pasionet e trishta” të francezëve, për të cilat Makron kishte paralajmëruar shumë herë, do të preket një kontinent i tërë, dhe jo vetëm karriera politike e një njeriu. Forcat ekstremiste në mbarë Evropën, janë shprehur të entuziamuara gjatë përplasjes së Makron me “Jelekët e Verdhë”.

Nga mbështetësit e Brexit (majtas dhe djathtas), tek e djathta ekstreme italiane e Mateo Salvini, për të mos përmendur propagandën e Putinit, shija është e pagabueshme. Rebelimi dhe kaosi po lulëzojnë në demokracitë liberale. Çmimi që mëtojnë ekstremistët, është fitimi i zgjedhjeve për në Parlamentin Evropian majin e vitit që vjen.

Ngjarjet në Francë janë ogurzeza, dhe rëndësia e tyre shtrihet shumë më tepër se sa kufijtë e një vendi. Jo shumë kohë më parë, Makron e quajti me kreari veten armikun e Salvinit dhe Viktor Orbanit të Hungarisë, dy liderë që përmes politikave të pazareve, synojnë të ndalojnë hyrjen e emigrantëve në vendet e tyre, mbyllin gojën kundërshtarëve politikë dhe sabotojnë sundimin e ligjit.

Makron është dobësuar, është tërhequr në mbrojtje, dhe është përherë e më i izoluar. Skenat dramatike në Francë 2 javë të fundit mund të duken për disa, si një ringjallje e kryengritjes së majit 1968. Por një paralele më e rëndësishme, mund të jetë 6 shkurti 1934.

Atë ditë, bandat e nacionalistëve ekstremistë marshuan në kryeqytetin francez, dhe u përleshën me policinë, në një trazirë që shkaktoi 15 të vdekur. Ngjarjet e asaj dite, shërbyen si një mit themelues për atë brez të së djathtës në Francë.

Sigurisht, Makron ka bërë gabime. Shumica e protestuesve kanë ankesa të vërteta, ndonëse të shprehura në mënyrë kaotike. Ata e konsiderojnë veten “njerëzit e padukshëm”, që trajtohen me përbuzje nga elitat pariziane, dhe se tani janë bërë shumë të dukshëm me xhaketat e tyre fluoreshente. Opinioni publik është pas tyre.

Një nga anëtaret më elokuente të lëvizjes është Ingrid Levavazyr, një infermiere e re, nënë e divorcuar me 2 fëmijëve nga Normandia. Javën e kaluar, ajo foli me tone prekëse në televizion, mbi përpjekjet e saj për të arritur qëllimin e protestës, dhe për ndjenjën e saj të thellë të padrejtësisë:”Disa njerëz ankohen se ne i bllokojmë rrugët, por ata nuk ankohen kur ato bllokohen nga trafiku, aapo kur janë duke shkuar me pushime në resortet turistike të skive, apo jo?”-pyeti ajo me butësi.

Por kriza e Francës ka nënrryma më të këqija, të mishëruara nga një zëdhënës tjetër i jelekë-verdhëve, Kristof Shelençon. Një kovaç nga rajoni jugor i Vaukluz, Shelençon është një anti-mysliman i hapur, dhe ka bërë thirrje për instalimin e një qeverie të udhëhequr nga ushtria, pasi sipas tij “një komandant i vërtetë, një gjeneral, një dorë e fortë, është ajo që na nevojitet”.

Partitë e të djathtës, si Aksioni Francez, po përpiqen të rikuperojnë terren, dhe të rrikthehen në skenën kombëtare. Njoftimi më i fundit nga qeveria, se rritja e taksave do të pezullohet, është ndoshta shumë pak, dhe shumë i vonuar. Frikërat e francezëve janë të trefishta.

Ekziston frika e humbjes së pushtetit dhe prestigjit; frika e ndikimit ekonomik të globalizimit, dhe frika e humbjes së një “identiteti kombëtar”. Vendi vuan ndërkohë nga ndarjet e thella brenda vendit, të cilat vështirë se mund t’i mbyllë një president në vetëm 18 muaj.

Grupime të tëra sociale, ndjehen të neveritur me njëri-tjetrin:të rinjtë kundrejt të moshuarve, të papunët përkundrejt të punësuarve, ruralët kundrejt urbanëve, të pakualifikuarit përkundrejt të mirë-arsimuarve. Ndarje të tilla ekzistojnë në shumë vende, por në Francë ato marrin një dimension ekzistencial, për shkak të idealit të barazisë, historikisht të lidhur me republikën. Shumë francezë, ndjejnë se realiteti nuk pasqyron atë që ata kanë të drejtë të kenë. Kur Makron garoi për president në vitin 2017, ai premtoi një “revolucion” (ky ishte edhe titulli i librit të tij të fushatës), për të adresuar një nevojë të përhapur për një ripërtëritje të brendshme, dhe një rivendosje të prestigjit francez, jo më pak në skenën evropiane .

Tani presidenti duket i paralizuar në shtëpi, dhe andrallat e ij të fundit, mund të mbizotërojnë së shpejti mbi planet e tij për Evropën. Ashtu si një Merkel e dobësuar nuk bëri shumë për të ndihmuar Makron në rifillimin e një projekti mbi Evropën, një Makron i dobësuar tani do të sigurojë “ushqim” të ri për ekstremistët dhe populistët anembanë kontinentit.

Lë Penët, Orbanët dhe Salvinët, po presin në cep të rrugës. Nëse nuk gjejmë dot një zgjidhje, zgjedhjet për në Parlamentin Evropian në Francë, rrezikojnë të shndërrohen në një referendum kundër Makronit. Pra, presidenti francez e ka humbur shkëlqimin e tij, si një kampion i liberalëve dhe pro- evropianëve.

Por ta shohësh këtë si një lajm i mirë për Evropën dhe për demokracinë në përgjithësi, është tejet e rrezikshme. Është njëlloj si të dëshirosh përmbysjen e trenit, në mënyrë që të zëvendësohen disa vagona të tij. Dhimbjet sociale në Francë janë reale, dhe duhet të adresohen.

Por forcat që po përfitojnë nga revolta dhe dhuna në rrugë, janë ato që do të na hedhin në humnerë. Shihni kërcënimet me vdekje ndaj jelekë-verdhëve, që thanë se janë gati të negociojnë me qeverinë. Disa vjet më parë një Itali e lodhur dhe e tensionuar, kishte ditët e saj të protestave të dhunshme (mesazhi ishte:Shkofshi në djall, për establishmetin), nga e cila lëvizja populiste Pesë Yjet u rrit si një forcë politike.

Po çfarë ka ndodhur që atëherë? Këtë vit, Italia ra në kthetrat e të djathtës ekstreme. Protestat aktuale në Francë, do të çojnë në një skenar të ngjashëm, nëse njerëzit me mendje të kthjellët, nuk e ndihmojnë disi Makronin në rindërtimin e një minimumi të besimit nga opinion publik. Nuk mund të ketë asnjë projekt evropian demokratik apo drejtësi sociale, pa një Evropë dhe Francë demokratike. Fytyra e Marianës, duhet të restaurohet.

“The Guardian” – Bota.al

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.