Ballina AKTUALE Ndërroi jetë dëshmitari i vetëm i Masakrës së Burimit, Nuredin Morina

Ndërroi jetë dëshmitari i vetëm i Masakrës së Burimit, Nuredin Morina

SHPËRNDAJE

Të dielën pas dite vonë ka ndërruar jetë plaku Nuredin A. Morina, nga Astrazupi i Malishevës, i mbijetuari-dëshmitari i vetëm i Masakrës së njohur te “Vrella e Mihillit” në Burim të Malishevës. 


Ja njoftimi i plotë i profesorit Resim B. Morina, nga Astrazupi, të dielën vonë në mbrëmje:

Nata e 30 Marsit e vitit 1999, ishte natë tmerri e luftës së fundit, ishte një ndër netët e errëta në Kosovë që ndodhnin në kohë lufte, Natë që do të mbahet mend përjetësisht, natë që do të identifikohet me jetën dhe vdekjen, me qëndresën dhe sakrficën, me dëbimin dhe vendosmërinë për të qëndruar në atdhe.

Sa herë që përmendet 31 marsi i vitit 1999, kujtohet Masakra e Burimit, në “Vrellën e Mihillit”, masakër që tregoi që liria peshon më shumë se çdo gjë tjetër në jetë. Në mesin e të rreshtuarëve për pushkatim ishte edhe Nuredin A. Morina ( Baci Din ) siç e njohim në fshat, i cili ndërroi jetë sot. Po si në çdo masakër edhe në këtë, pati të mbijetuar, e ai ishte Baci Din.

Baci Din e përjetoi më të vështirën, më të mundishmem, më të rëndën që mundet me pas një njeri, sepse përballë kishte vëllaun, fqinjët, fshatarët, dhe bashkëkombasit e tij nga fshatrat përreth.

Kishte Valonin që ishte në moshë shumë të re, të gjithë këta të pushkatuar që ishin me dhjetëra, bashkëndjeu vdekjen, e pse jo edhe e pëlqeu vdekjen, vetëm e vetëm që të mos të shihte këtë krim para syve të tij. Nuk mundet me përshkruar asnjë njëri atë natë, nuk mundet me rrëfyer ato momente që identifikohen me britma, të shtëna, vrasje, gjak, klithma, lebeti. Edhe “Klithma” e Anton Pashkut duket e zbehur në këtë natë, vdekja do te ishte e mirëse ardhur, por ja që dikush duhej të ishte dëshmitar i kësaj masakre, e ai ishte Baci Din.

Martirët e rënë në këtë natë kryen të tyren, e dhanë jetë për truallin e tyre të quajtur Atdhe. E njeriu që do të dëshmonte, do të tregonte, do të jetonte me atë natë (pa folur fare) ishte Baci Din. Prej asaj nate e deri në momentin që vdiq u identifikua me këtë natë, jetoi me këtë natë, sepse nuk mund të harronte, se ishte dëshmitar, ishte dëshmi e një masakre, ishte dëshmi se ka Zot, se Zoti e zgjodhi që ky të jetë personi që do ta tregon krimin e kryer në këtë masakër.

Baci Din më shumë se çdo kush tjetër kishte të drejtën të kërkonte drejtësi. Ai nuk hezitoi asnjëherë të përshkruante para organeve të drejtësisë atë se çfarë kishte ndodhur në natën e 30 marsit, edhe pse e kishte shumë të vështirë të trazonte ndjenat e tij të trazuara. “Të gjitha ato intervista i bëra me besimin që do të flet drejtësia, thoshte Baci Din, por ja që kaluan nëntëmbëdhjetë vite, dhe ende nuk ka drejtësi.

Amaneti i tij dhe i të gjithë të rënëve është që të punojmë në gjetjen dhe dënimin e merituar të kriminelëve serbë.

Baci Din sot iu bashkua martirëve të rënë në Maskrën e Burimit.

I paharruar qoftë kujtimi për të rënët për liri dhe dëshmitarëve të tyre !

Lavdi për jetë dhe mot !

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here