Ballina INTERVISTA Haki Morina: Barriera themelore është mungesa e idealizmit, e sakrificës për shtet!

Haki Morina: Barriera themelore është mungesa e idealizmit, e sakrificës për shtet!

SHPËRNDAJE

Në një intervistë veprimtari i çështjes kombëtare, Haki Morina, ka folur për rrugëtimin e tij drejt çlirimit të Kosovës nga okupatori serb, pastaj përndjekjet, burgosjen e deri te torturat…

Morina, ndanë momente dhe biseda nga burgu, duke e theksuar edhe përballjen në burg me shefin e shërbimit sekret, nga i cili kishte përjetuar ndër torturat më të fuqishme.

Meqenëse, Morina jeton me familje në Zvicër, duke na treguar për jetën që zhvillohet atje dhe sesa respektohen të drejtat e shqiptarve atje, ai nuk heziton të flas edhe për zhvillimet në Kosovë, duke i përfshirë edhe zhvillimet e Kuvendit të Kosovës, ndaj të cilit drejton edhe kritika.

Këto dhe detaje të tjera, ju sjellim intervistën e plotë:

Ballkani.info: Njiheni njëri nga veprimtarët e hershëm të çështjes kombëtare. Na flisni për këtë rrugëtim, si ke filluar me kënd e ke filluar dhe momentin kur jeni arrestuar?

Haki Morina: Rrugëtimi është i gjatë, dhe është e pamundur ta përfshij në një intervistë. Por ju sigurisht e keni fjalën për nisjen. Kam filluar me veprime të ‘vogla’ siç është kërkimi i bashkëmendimtarëve tjerë dhe leximi e shpërndarja e literaturës ilegale! Kam filluar me disa shokë, siç janë i ndjeri Hajdar Morina (kushëri), me vëllezërit e mijë, dhe me shokë tjerë si Azem Syla, Halit Krasniqi, Vezire Maloku, Servete Krasniqi etj. Për herë të parë jam arrestuar më 3 prill të vitit 1981!

Ballkani.info: Nëse keni mundësi që të ndani disa momente nga burgu (biseda me të burgosurit tjerë, por edhe përjetimet e krijuara-torturat nga policia serbe)?

Haki Morina: Në fillim s’ka patur biseda me të burgosur tjerë, për shkak se na mbanin të vetmuar. Më vonë janë të shumta momentet e bisedave me të burgosur të tjerë dhe përjetimet nga torturat, të cilat më gjërësisht i kam përshkruar në librin tim të fundit „Jetë në rrugëtim“. Përjetimet nga torturat në burg janë të rënda. Disa nga ato momente, ndoshta nuk do te ishte mirë ti lexonin të miturit nën moshën 18 vjeç! Biseda e parë, që më kujtohet, me të burgosurit tjerë politik është ajo kur unë thashë që kam menduar që në burg s’ka krevate e batanije, sepse kam menduar që tërë kohën do të rri në birucen me beton, ku kisha qëndruar disa dite. Ata u habiten me mua, kur thash që, për kështu, do të vija vullnetarisht të qëndroja disa muaj në burg. Ndërkaq, momente torturash, janë të shumta. Torturat intensive kanë zgjatur me muaj (rreth 15 muaj hetime gjithesejt). Do ta ndaj momentin kur shefi i shërbimit sekret, hyri në dhomën ku isha i shtrirë duke me torturuar, dhe shau 10 hetuesit tjerë, të cilët s’kishin arritur akoma të nxjerrnin fjalë prej meje.

Ballkani.info: Në cilin vit jeni dal nga burgu, me kënd jeni takuar për herë parë?

Haki Morina: Kam dal në fund të viteve 80-ta. Kam vizituar shumë shokë. Shumica nuk kanë pranuar të vazhdojnë aktivitetin dhe kjo më ka zhgënjyer shumë! Se cilin e kam takuar të parin, nuk më kujtohet.

Ballkani.info: Momenti kur keni vendosur të largoheni nga Kosova? A keni menduar që kaq gjatë do të jetoni, edhe pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës?

Haki Morina: Jo, që pas çlirimit të atdheut, do të qëndroja larg atdheut, këtë se kam menduar!

Ballkani.info: Meqenëse e përmendëm Pavarësinë e Kosovës, a është kjo Kosova për të cilën keni dhënë kontributë Ju dhe shumë të tjerë, duke i përfshirë edhe të rënët për liri?

Haki Morina: Në atë kohë, as që kam menduar se çka do të ndodhë pas luftës. Por, natyrisht që kam qenë i vetëdijshëm, që Kosova s’do të bëhet kopsht me lule. E kam ditur që do të ketë shumë zhgenjime, e kam ditur qe edhe vet do të përjetoj zhgënjime, por jo në këtë shkallë dhe në këto përmasa. Kosova nuk është ai vendi, për të cilin kam dhënë kontribut, por nuk është edhe aq keq, sa e përshkruajnë opozita (cilado qofte ajo)!

Ballkani.info: Sa po keni mundësi të ndiçni zhvillimet e Kosovës, duke i përfshirë seancat e Kuvendit. Si i komentoni?

Haki Morina: Mundësia për të përcjellë zhvillimet në vend, janë të mëdha. Kemi përcjellë në kushte të robërisë së rëndë dhe të kufizimeve të mëdha në informim, e lëre më tani, kur dritaret e informimit janë të shumta! Me Parlamentin e Kosovës, nuk jam i kënaqur, jo aq me cilësinë e diskutimeve, sa me mosvotimin ose zvarritjen e votimit të ligjeve. Ne jemi populli i prapambetur në shtet- ndërtim, dhe na duhet ritëm i lartë i ndërtimit si shtet. Vonesat në Parlament (dhe jo vetëm aty) janë me pasoja të mëdha për të ardhmën tonë.

Ballkani.info: Çka konsideroni të arritur, barrierë dhe dështim të Kosovës?

Haki Morina: Barriera themelore është mungesa e idealizmit, e sakrificës për shtet!

Ballkani.info: Na flisni për jetën që bëni në Zvicër. Cilat janë raportet ndërmjet komuniteteve? Sa respektohen të drejtat e kosovarëve-shqiptarëve?

Haki Morina: Zvicra është një shtet i stabilizuar. Ka një traditë shekullore të shtetndërtimit dhe të marrëdhënjeve me komunitete. Të merret Zvicra si një shembull për të mirë, është e domosdoshme, por krahasimet me Zvicër nuk janë të dobishme!

Ballkani.info: Si e komentoni raportin ndërmjet shtetit të Kosovës kundrejt mërgatës?

Haki Morina: Si ne çdo drejtim, edhe me mërgaten, qeverisja në Kosovë çalon shumë. Oferta më e mirë për mërgimtarët është zhvillimi i përgjithshëm i Kosovës apo me konkretisht, krijimi i kushteve për investime, apo edhe për kthim në atdhe.

Ballkani.info: Ti kthehemi edhe njëherë temës së luftës së fundit të Kosovës. Në në profilin tuaj kemi pa që herë pas herë shprehni shqetësim, në lidhje me ata të cilët kanë qenë torturues dhe përndjekës në kohët më të vështira të Kosovës, dhe tani janë po të njëjtit ata të cilët janë në institucionet e Kosovës. Si e shihni këtë realitet të hidhur?

Haki Morina: Shqetësimi im s’ka të bëj me asgjë personale. Thjeshtë, nëse ata që janë gjendur në rrugë të kundërt me atë të pavarësisë së Kosovës, nuk do të duhej të shpërbleheshin, sepse kështu, ju dha shembull i keq gjeneratave të reja, se të sakrifikosh për atdhe, nuk shpërblehesh por ndodhë e kundërta. Të shpërblesh të keqin, është mënyra më efikase për ta luftuar të mirën, është goditje direkte e interesave të një populli, për zhvillim e përparim.

Ballkani.info: A mund ta ndani me ne dhe lexuesit momentin më të bukur të jetës tuaj?

Haki Morina: Momenti më i bukur i jetës sime është, 18 qershori, me duket. Atë ditë hyra në Kosovë, dhe për herë të parë, ndjeva kënaqësin e të mos qenit i ndjekur nga pushtuesit që nga mosha 17 vjeç!

 Ballkani.info: Na flisni për veprimtarinë e juaj artistike?

Haki Morina: Në fëmijërinë e hershme, kam qenë i pasionuar pas skulpturës, por nuk pata mundësi objektive për ta zhvilluar këtë talent. Por edhe me poezi, e shkrime të ndryshme, që nga shkolla e mesme. Por veprimtarinë artistike, e intensifikova dhe e ngrita në nivelin e botimit të librave, këto 6-7 vjetët e fundit. Dhe për këtë, duhet t’i falenderohem politikës (së padrejt), e cila m’i kufizojë pothuajse të gjitha mundësitë, që të kontriboja në drejtime tjera. Kam botuar 5 libra me poezi, një me publicistik dhe e fundit jetshkrim historiko-biografik, me elemente letrare.

Ballkani.info: Porosia e Juaj kundrejt qytetarëve dhe udhëheqësisë politike të Kosovës?

Haki Morina: Qytetarët, e sidomos politikanët, janë vet të mençur dhe s’kanë nevojë për mësimet e mija. Të paktën kështu është dukur deri tani (hahaha). Një mund t’ua them të gjithëve: nuk pendohem për rrugën që e kam bërë deri tani. Ndoshta ishte rrugë e gabuar, por unë akoma se kam kuptuar. Kur ta kuptoj, ju tregoj!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.