Ballina LAJME Gjasat, minimale që vizat të hiqen këtë vit

Gjasat, minimale që vizat të hiqen këtë vit

75
0
SHPËRNDAJE

Deklarata e fundit e kancelarit austriak, Sebastian Kurz, i cili u shpreh skeptik në heqjen e vizave për Kosovën, tregon qartë që Presidenca e Bashkimit Evropian nuk ka vullnet që ta vendosë në agjendën e saj çështjen e liberalizimit këtë vit. Kështu kanë theksuar për “Zërin” ekspertët e integrimit evropian, të cilët thonë se procesi i vizave rrezikon të shtyhet për vitin e ardhshëm.


Andaj sipas tyre, ekzistojnë disa skenarë, të cilët mund të ndodhin me këtë proces. Po qe se Këshilli i Ministrave nuk merr vendim pozitiv për heqje të vizave në dhjetor të këtij viti, njohësit e procesit të integrimit vlerësojnë se opsioni tjetër për t’u diskutuar për viza është maji i vitit të ardhshëm, shkruan “Zëri”.

Njohësi i procesit të integrimit, Besnik Vasolli, ka thënë për “Zërin” se tashmë është më se e qartë që nuk do të ketë liberalizim të vizave gjatë këtij viti.

Sipas tij, edhe nëse do të votohej pozitivisht në takimin e dhjetorit të Këshillit të Ministrave, vendimi nuk do të mundë të hynte në fuqi dhe ta mundësonte udhëtimin pa viza brenda këtij viti.

Sipas Vasollit, diskursi publik në BE rreth çështjes së migracionit e ka rritur skepticizmin e shteteve anëtare të BE-së edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Vërehet një dozë e rezervuar e pasigurisë te shtetet anëtare se si do të perceptohej një vendim i tillë nga qytetarët, respektivisht nga votuesit evropianë, si dhe çka mund të ndodhë nëse merret një vendim i tillë, a do të migronin shtetasit kosovarë, a do të kishte migrim jo të rregullt, a do të kërkonin kosovarët azil, a do të qëndronin ilegalisht etj”, është shprehur ai.

Ndërkaq Rreze Hoxha, njohëse e procesit të integrimit nga Instituti për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ka konsideruar se deklarata e fundit e kancelarit austriak Sebastian Kurz, i cili u shpreh skeptik për heqjen e vizave, tregon qartë që Presidenca e BE-së nuk ka vullnet që ta vendosë në agjendën e saj çështjen e liberalizimit të vizave këtë vit.

“Kjo ngase është më se e qartë që nuk ka vullnet për një vendim pozitiv lidhur me këtë çështje dhe ekziston rezistenca e Presidencës së tanishme që një vendim i tillë të merret gjatë këtij mandati. Kjo ngase në mandatin tjetër do ta udhëheqë Rumania dhe ajo ka shumë pak vullnet për të vendosur çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën në agjendën e tyre”, ka theksuar ajo për “Zërin”.

Sa i përket kësaj çështjeje, Demush Shasha, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), ka vlerësuar se Kosova ka humbur shumë kohë për arsye tërësisht politike.

“Ne kemi humbur momentumin pozitiv që ekzistonte në vitin 2016 për shkak të mungesës së konsensusit të spektrit politik lidhur me çështjen e demarkacionit, i cili i ka kushtuar qytetarëve të Kosovës tri vjet bllokadë dhe izolim. Tani ne si Instituti EPIK presim që procesi i vizave të shtyhet për vitin 2019 me shumë të panjohura dhe Kosovës t’i kërkohet progres konkret në fushën e sundimit të ligjit”, ka potencuar Shasha.