Ballina AKTUALE Gardiani e zyrtari i Ministrisë së Diasporës dyshohen se bënë pazar për...

Gardiani e zyrtari i Ministrisë së Diasporës dyshohen se bënë pazar për arratisjen e malazezit Mario Millosheviq

81
0
SHPËRNDAJE

Një zyrtar i Ministrisë së Diasporës, Petrit Mustafa, dyshohet se i kishte dhënë 3 mijë euro një gardiani të Shërbimit Korrektues të Kosovës në Burgun e Sigurisë së Lartë, Stefan Veliqkoviq, si ryshfet për ta liruar një shtetas të Malit të Zi, të arrestuar muaj më parë nga Policia e Kosovës.

Prokurori, Ibrahim Berisha tha për KALLXO.com se dy të dyshuarit janë arrestuar për shkak të veprës penale marrje dhe dhënie ryshfeti.

“Stefan Veliqkoviq është gardian i burgut në Dyz, ku është i burgosur malazezi Mario Millosheviq, Petrit Mustafa është zyrtar i Ministrisë së Diasporës i cili i ka ofruar gardianit 3 mijë euro, për momentin pasi që janë folur 50 mijë për të tjerët. Arrestimi është bërë për marrje e dhënie të ryshfetit”, tha Berisha për KALLXO.com.

Edhe Ministri i Ministrisë së Diasporës, Dardan Gashi, konfirmoi për KALLXO.com se zyrtari i arrestuar është punëtor në ministrinë që ai e drejton.

Ai tha se do të marrin masa ndaj tij.

“Në bazë të informacioneve që i kemi zyrtari i arrestuar është një punëtor teknik në IT. Edhe ne si ministri po presim komunikimin zyrtar me Policinë e Kosovës që të sqarohemi se çka është situata. Ne si Ministri do t’i marrim masat e nevojshme ndaj këtij zyrtari”, tha ministri Gashi për KALLXO.com.

Avokati i Mario Millosheviq, Arsim Bilalli, tha për KALLXO.com se nuk ka qenë në dijeni lidhur me rastin për të cilin janë arrestuar Mustafa dhe Veliqkoviq.

Mario Millosheviq ishte arrestuar në korrik të këtij viti së bashku me tre persona të tjerë në një aksion në Prishtinë, si të dyshuar për mbajtje në pronvsi, kontroll ose posedim të substancave narkotike lidhur me kërkesën ndërkombëtare nga Interpol-i dhe armëmbajtje pa leje.