Ballina LAJME “Task forca” e gatshme për fillimin e pastrimit të ambientit në Malishevë

“Task forca” e gatshme për fillimin e pastrimit të ambientit në Malishevë

574
SHPËRNDAJE

“Task forca”, e formuar për implementim e projektit tre mujor për pastrimin e ambientit, sot ka mbajtur takimin e radhës, dhe kanë deklaruar se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e aksionit të madh të pastrimit, ndërsa në këtë “task forcë” janë kyçur të gjitha strukturat përgjegjëse në Komunën e Malishevës.


Në takimin e sotëm, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, aksionin tre mujor të pastrimit të ambientit e ka vlerësuar si një nga iniciativat më të qëlluara. “Synim dhe prioritet i imi, ka qenë dhe është pastrimi i ambientit dhe uroj që përmes këtij aksioni, jo vetëm të pastrohen deponitë ilegale të mbeturinave, por të arrihet edhe qëllimi tjetër, i vetëdijesimit të qytetarëve për ruajtjen e ambientit, edhe pse ne si vend përmallemi me mungesën e kushteve, në këtë rast për trajtimin e mbeturinave inerte”, tha kryetari Begaj, i cili gjithashtu ju bëri thirrje të gjithë qytetarëve, që ti bashkohen këtij aksioni.

Në këtë takim ka asistuar edhe përfaqësuesi i Bashkësisë Islame në Malishevë, që ka bërë të ditur se do të mbajnë ligjërata nëpër xhami, për ruajtjen e ambientit, si dhe bëri thirrje që të gjithë ti bashkohen aksionit për pastrimin e ambientit.

Koordinatorja e projektit “Ta pastrojmë Kosovën” për Malishevë, Saranda Dobruna, ka bërë të ditur se janë bërë gjitha përgatitjet për fillimin e këtij aksioni, të shtunën më 15 shtator, dhe sipas saj, nga ora nëntë, do të grumbullohen vullnetarët në sheshin e qytetit, ndërsa simbolikisht do të filloj aksioni në ora 10:00, ku do pastrohet ambienti në qytet, si dhe në rrugët hyrëse në Malishevë.

Ndërsa kryesuesi i “task forcës”, drejtori komunal për shërbime publike, Milazim Morina, ka bërë të ditur se aksioni do të zgjasë tre muaj dhe në vazhdimësi do të pastrohet ambienti, deri në largimin e mbeturinave, sidomos atyre inerte, dhe tha se “nga ky aksion pres që të rritet vetëdija e qytetarëve për ruajtjen e ambientit”.