Ballina OPINIONE Kush e kalli…?

Kush e kalli…?

33
SHPËRNDAJE

Nga Fadil LEPAJA

Kënga, “Kalle, kalle, qitja timin, “ është e njohur, në vend dhe në krejt diasporën shqiptare. Pa të nuk ka dasmë. Por, ajo, nuk ishte e përfshirë në “Sunny Hill”. Por, e kalli, edhe timin ja qiti. Tash, ishte apo nuk ishte cigare, kjo ende nuk është e qartë nga deklaratat zyrtare. Substancë e dyshimtë, ishte zyrtarisht!

Sidoqoftë, kjo është pyetja më e përfolur këtyre ditëve, post “Sunny Hill”. Performanca e yjeve tjera botërore, mbeti nën hije! Kjo pyetje, i mundon, gjithë ata që shqetësohen për ligjin në këtë vend dhe për reputacionin e shkëlqyer që e ka ndërtuar ky shtet në botë, i cili qysh e dini njihet si një vend ku ka ligj, ka rregull, ka polici dhe sistem të drejtësisë të pa korruptuar dhe shumë efektiv, të cilët e zbatojnë ligjin me përpikëri, dhe me ndjenjë të lartë të përgjegjësisë qytetare e kombëtare. Ishte kjo një fjali e gjatë, por ja vlen se është vështirë me i përmbledhë të gjitha në një fjali të thjeshtë. Nejse, kjo çështja e ndërgjegjes kombëtare, është paksa e mjegulluar, por, për ndërgjegjen qytetare, nuk ka dilema.

Nuk po bëjë humor. Dilema vërtetë ekziston . Nuk po dihet, ishte apo nuk ishte “joint”?! Kamerat e kanë filmuar ngjarjen e cila ka shkuar tashmë në “google” dhe nuk e ndal askush. As ajo thënia e famshme, e tradicionale në Kosovë: “Ndaleni Rojters-in” nuk bënë punë. Me një fjalë dilema u bë ndërkombëtare.

Kur jemi te “fajtori”, ai është një këngëtar, kuzhinier dhe çka është më e sigurta, një gurman me mbi një kuintal peshë, i vizatuar gjithkah, një komunikues i suksesshëm, në përgjithësi një person i famshëm edhe në SHBA e sidomos ndër ne. Si raportuan mediat, në ekstazë e sipër, ai e ndezi një “joint” në skenën e “Sunny Hill” në Prishtinë.

Vetëm pak minuta pas, atë e arrestoi policia e Kosovës dhe e dërgoi në mbajtje, duke nxitur kështu shumë spekulime. Asnjëherë më parë, nuk është përdorur më shumë në Kosovë, kjo substancë “ e dyshimtë”. Kësaj i ka kontribuar me të madhe edhe vet “çështja jonë kombëtare”, ku shumë të rinj dhe të varur, verën e shfrytëzojnë për të veruar dhe për të u furnizuar, për dimrat e gjatë dhe monoton kosovarë. Pra, nuk ka befasi, policia i di dhe i kontrollon, rrjedhat e substancave, ajo kujdeset për sigurinë tonë.

E kjo “cigare” i zuri në befasi. Kah erdhi? Ku e k blerë? Ishte produkt kombëtar apo ndërkombëtar? Pra, me rëndësi është ku është mbjellur, rritur dhe këputur “bari” e jo ku po mbështillet apo ku po ndizet. Pra, origjina. Pastaj, në fund të fundit, përse duhet bërë të madhe , kur ndizet në skenë një “joint” nga një i famshëm, kur kjo do të bëjë të famshëm edhe festivalin i cili edhe është konceptuar të jetë ndërkombëtar. Kjo e bënë të famshme edhe Kosovën, të cilën sidomos rinia ndërkombëtare, e madje edhe ajo kombëtare e shpërndarë globit e ka harrur, dhe vështirë gjejnë motiv për ta vizituar.

Ja, pra motivi. Pas Holandës, ja vlen të vish në Kosovë, edhe pse për politikën çdo lëvizje në relacionin Holandë – Kosovë mund të jetë e dyshimtë dhe shqetësuese. Por, me këtë arrestim, edhe ne po futemi jo vetëm në dilemën e madhe globale pro at contra marihuanës, por edhe në rreshtimet gjeostrategjike se ku prodhohen “cigaret” më të mira.

Përvoja jonë me ligjin, sado që duket e re, sepse edhe shteti ynë është adoleshent, megjithatë është e moçme. Edhe,” i moçmi”, personazhi ynë anonim, lidhur me këtë ka thanë fjalën e vet: “Ligji që ta dini, ju, është sikur një gardh me thupra! Të fortit e të pasurit e kërcejnë. Ata që janë të shkathtë përbirohen nëpër të, ndërsa fukaranë dhe të dobëtit, i ndalë.” Tash, mendojeni vet, çka ka dashtë me thënë i moçmi, lidhur me këtë rast!

Ndokush mund të thotë, ani çka se u lirua i famshmi? Ani çka se ndezi në skenë diçka që ngjante me marihuanë? Ani çka se nuk ishte mariuhuanë? Ani çka edhe po të ishte marihuanë? Me rëndësi, të flitet për ne. Kot, argumentet që nuk ndezin debat. Argumenti kryesor publik që vërteton se “cigarja” nuk ishte substancë e ndaluar, ishte se “ ajo” kishte kaluar kufirin e Kosovës dhe nuk ishte konfiskuar nga policia. Kaq e sigurt është policia jonë kufitare.

Kaq sa për (pa)fajësinë. Po mesazhi? Pavarësisht si ka qenë e vërteta, me mijëra, të rinj e morën mesazhin se personalitetet e famshme mund të bëjnë çfarë të duan para kamerave. Kjo krijon publicitet. Kjo frymëzon edhe për veprime prapa kamerave…!

“Po bajka, po bajka” do të këndonte këngëtarja jonë më pak e famshme, e cila nuk u ftua në “Sunny hill”.

Dikush qëllimkeq, i cili nuk e do publicitetin për Kosovën, do të thotë se nuk na duhet “Joint” për të u bërë të famshëm. I kemi ne politikën, të njohur globalisht për të (pa)bëmat e tyre. Sido që të jetë, kënga e jonë e famshme, “Kallma cigaren, paja çka të kallxoj…” ka shumë gjasë se do të modifikohet pas këtij festivali…!

Me këtë arrestim, policia zhvendosi vëmendjen. Dua mbeti nën hije. “Kur paraqitet polici, shenjat e komunikacionit bien. Në rrugë polici e bënë ligjin”- kështu më thoshte dikur një instruktor vozitjeje. Po në skenë, kush e bënë ligjin?

Pra, po dihet. Kush e kalli, po dihet. Pyetja e këtij festivali ishte “Pse…”.