Ballina LAJME Qeveria komunale diskuton draft buxhetin për vitin e ardhshëm

Qeveria komunale diskuton draft buxhetin për vitin e ardhshëm

277
SHPËRNDAJE

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, sot ka mbajtur një mbledhje të qeverisë komunale, ku është trajtuar hartimi i projekt buxhetit për vitin 2019. Bazuar në të dhënat e prezantuara nga drejtori komunal për buxhet, Valon Mazreku, buxheti për vitin e ardhshëm, do të jetë mbi 14 milion euro.


Në këtë takim, drejtori Mazreku, ka prezantuar në detaje qarkoren e  dytë buxhetor të Kornizës Afatmesme Buxhetore 2019-2021, me theks të veçantë për vitin 2019, ku sipas kësaj qarkore, buxheti i Komunës së Malishevës, për vitin 2019 është 14 347 979 euro, ndërsa për investime kapitale janë të parapara 4 335 559 euro.

Kryetari Begaj dhe drejtori Mazreku, gjithashtu kanë prezantuar edhe planifikimin e dëgjimeve publike, me qytetarë dhe grupet e interesit, për hartimin sa më të mirë të buxhetit për vitin e ardhshëm, sidomos për planifikimin e investimeve kapitale dhe orientimin e këtyre investimeve.

Dëgjimet publike, për hartimin e projekt buxhetit për vitin e ardhshëm, do të mbahen nga java e ardhshme.